ASHMC Logo

Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile

Rrepublika e Shqipërisë
  • Shqip
  • English

    THIRRJE NR. 6 PËR PROJEKTE

    Publikuar në: 11/08/2014 Kategoria: Thirrje për projekteUncategorized


    Publikuar në 15.07.2020

    Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), në kuadrin e konkurimit të hapur dhe transparent sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin Nr. 10093, datë 09.03.2009 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, në përputhje me statutin dhe misionin e saj: Asistencë Financiare për një zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe krijimin e kushteve të favorshme për nisma qytetare në të mirë dhe interes të publikut; shpall këtë Thirrje për Shprehje Interesi për të gjitha OJF-të e interesuara për projekte.

    OJF-të janë të lutura t’i sjellin projekt-propozimet dorazi pranë zyrave të AMSHC-së në adresën:
    Rr Abdi Toptani Nr. 4, Kati 4, Tiranë.

    Për ndryshimin e adresës së zyrave të AMSHC-së do t’ju njoftojmë në faqen zyrtare në internet: www.amshc.gov.al

    Projekt-Propozimet duhet të na dërgohen gjithashtu edhe elektronikisht vetëm në formatin Word në adresën tonë e-mail: info@amshc.gov.al (Në variantin elektronik nuk është e nevojshme firma dhe vula e skanuar).

    Pas vlerësimeve të projekt-propozimeve, do të bëhet shpallja e projekteve fituese dhe do të nisë lidhja e kontratave.

    AMSHC-ja fton OJF-të e interesuara të sjellin projekt-propozime që kanë si objekt dhe mbulojnë fushat e mëposhtme:

    1. Rritja e ndikimit të shoqërisë civile dhe përfshirja në hartimin dhe në proceset e miratimit të politikave/reformave publike;
    2. Qeverisja e mirë, forcimi i institucioneve, shoqërisë dhe i dialogut, fuqizimi i të rinjve nëpërmjet vlera themelore të demokracisë (pjesëmarrja, të drejtat e njeriut, shteti i së drejtës, kultura etj);
    3. Mbrojtja e mjedisit, zhvillimi rajonal, ekonomik dhe zhvillimi i qëndrueshëm (trashëgimia kulturore, turizmi, shërbimet publike dhe inovacioni etj);
    4. Rritja e ndikimit publik dhe veprimtarisë së organizatave të shoqërisë civile, rrjetëzimi dhe bashkëpunimi në kuadër të përafrimit me Bashkimin Europian dhe bashkëpunimit/zhvillimit rajonal;
    5. Krijimi e konsolidimi i aftësive të shoqërisë civile në komunikimin publik dhe edukimin qytetar, nxitja e qytetarëve në veprimtari, përfshirja e pjesëmarrja e tyre për zhvillimin e komunitetit.

    Aplikuesit, persona juridike që janë regjistruar sipas ligjit dhe kryejnë veprimtari në përputhje me qëllimin e përcaktuar në statutin e tyre, kanë të drejtë të aplikojnë, konkurojnë dhe të paraqesin projekt-propozimet e tyre.

    Formularin e aplikimit për projekt-propozime mund ta shkarkoni nga faqja jonë zyrtare
    në adresën: www.amshc.gov.al Kohëzgjatja maksimale e projekt-propozimeve të jetë deri në katër muaj.

    Afati i fundit kohor për dorëzimin vetëm dorazi, si dhe me e-mail të projekt-propozimeve është
    data 10 shtator 2014. Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë projekt-propozim.

    Projekt-propozimet duhet të shoqërohen me dokumentet e mëposhtme:

    1. Formulari i plotësuar i aplikimit, i vulosur dhe i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i Organizatës(Formulari duhet firmosur në çdo faqe);
    2. Vendimi i Gjykatës dhe Statuti (të noterizuar);
    3. Ekstrakti i Gjykatës (i cili merret në Zyrën e Regjistrimit të OJF-ve, pranë Gjykatës së Qarkut, Tiranë) – origjinal ose i noterizuar;
    4. NIPT-i (i noterizuar);
    5. Vërtetim nga Drejtoria e Tatim Taksave (që Organizata nuk ka detyrime të pashlyera përsa u përket kontributeve për sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe tatim-taksat) – origjinal ose i noterizuar;
    6. Vërtetim bankar (ku pasqyrohen numri IBAN dhe numri i llogarisë së Organizatës, në lekë) – origjinal;
    7. CV të Organizatës (të firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor i OJF-së) dhe Licencën e lëshuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nëse ka aktivitetete të parashikuara në projekt që nuk mund të kryhen pa zotëruar një Licencë të akorduar nga autoritet publike (për shembull: në rastet kur projekt-propozimet kanë aktivitete që kërkojnë ekspertizën e psikologut, ky i fundit duhet të ketë licensë për të kryer këtë funksion);
    8. Deklaratë/Marrëveshje Partneriteti (origjinale ose fotokopje të noterizuar, në rast se ka partneritet në këtë projekt-propozim).

    Vini re:
    Në momentin e dorëzimit të projekt-propozimeve në rast mungese të njërit prej dokumenteve të lartpërmendura, apo nëse nuk do të jetë në formën e kërkuar do skualifikohet.

    Për pyetje në lidhje me këtë thirrje për projekt-propozime, ju lutemi na shkruani në adresën e-mail: info@amshc.gov.al ose telefononi në numrin: (04) 22 35 569.

    Lista me projektet Fituese te Thirrjes Nr. 6