Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC), në kuadrin e konkurimit të hapur dhe transparent sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin Nr. 10093, datë 09.03.2009 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, në përputhje me statutin dhe misionin e saj: Asistencë Financiare për një zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe krijimin e kushteve të favorshme për nisma qytetare në të mirë dhe interes të publikut; shpall këtë Thirrje për Shprehje Interesi për të gjitha OJF- të e interesuara për projekte.
OJF-të janë të lutura t’i sjellin projekt-propozimet dorazi pranë zyrave të reja të AMSHC-së në adresën:
Rruga “Frosina Plaku”, Nr. 58, Godina e Observatorit, Kati II, Tiranë, Shqipëri
Projekt-Propozimet duhet të na dërgohen gjithashtu edhe elektronikisht vetëm në formatin Word në adresën tonë e-mail: info@amshc.gov.al
(Në variantin elektronik nuk është e nevojshme firma dhe vula e skanuar).
Pas vlerësimeve të projekt-propozimeve, do të bëhet shpallja e projekteve fituese dhe do të nisë lidhja e kontratave.
Ftohen OJF-të e interesuara të sjellin projekt-propozime që kanë si objekt dhe mbulojnë fushat e mëposhtme:
- Mbështetje e nismave që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të grupeve në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuar, përfshirë këtu mbështetjen me infrastrukturë ndihmëse, fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe nxitjen e zhvillimit të shërbimeve nga operatorët, sensibilizimin e shoqërisë dhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj tyre;
- Evidentimi i nismave të qeverisjes së mirë përfshi këtu ndikimin e shoqërisë civile dhe pjesëmarrje në zhvillimin e politikave dhe përmirësimet në sistemet e ofrimit të shërbimeve me në qendër qytetarin, luftën ndaj korrupsionit përmes inovacionit dhe modernizimit të sistemeve pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse të qyterarëve dhe shoqërisë civile në performancën e shërbimeve dhe politikë-bërje;
- Mbështetja e nismave dhe reformave që përmirësojnë mjedisin mundësues të shoqërisë civile, fuqizimi e rolit të organizatave të shoqërisë civile në to dhe zhvillimin e politikave prioritare dhe sektoriale, krijimi i kushteve për sisteme që rrisin dhe lehtesojnë një mjedis mundësues, përfshirë rritjen e rolit të shoqërisë civile në komunikimin publik dhe dialogun për zhvillim;
- Fuqizimi i barazisë gjinore, luftës kundër diskriminimeve që rrjedhin nga seksi, raca apo bindje të tjera personale;
- Fuqizimi i nismave që kanë si objektiv mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e ndërgjegjshmërisë ambientaliste të qytetarëve, kryesisht të rinjve;
- Fuqizimi i iniciativave rinore, si edhe lidhjeve me partnerë rajonalë dhe ndërkombëtarë në këtë sektor dhe zhvillimin lokal dhe rajonal të vendit; krijimi i kushteve për biznese sociale dhe aktivitete te tjera me karakter inovativ.
- Mbështetje nismave kulturore dhe artistike që krijojnë vlerë të shtuar për kontekstin social dhe zhvillimin e sinergjive brenda shoqerisë civile.
Aplikuesit, persona juridike që janë regjistruar sipas ligjit dhe kryejnë veprimtari në përputhje me qëllimin e përcaktuar në statutin e tyre, kanë të drejtë të aplikojnë, konkurojnë dhe të paraqesin projekt- propozimet e tyre.
Formularin e aplikimit për projekt-propozime mund ta shkarkoni nga faqja jonë zyrtare në adresën: www.amshc.gov.al.
Kohëzgjatja minimale e projekt- propozimeve do të jetë 4 (katër) mujor ndërsa koha maksimale e tyre të jetë deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj.
Thirrja është e ndarë në dy komponentë:
- Financime të mbuluara nga AMShC;
- Financime të mbuluara nga donatorë të tjerë dhe AMShC;
(Për këtë komponent është përcaktuar 50% nga fondi i përgjithshëm)
Afati i fundit kohor për dorëzimin vetëm dorazi si dhe me e-mail të projekt-propozimeve është dita e premte, datë 25 Mars 2016, ora 14:00. Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë projekt-propozim.
Projekt-propozimet duhet të shoqërohen me dokumentet e mëposhtme:
- Formulari i plotësuar i aplikimit, i vulosur dhe i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i Organizatës (Formulari duhet firmosur në çdo faqe);
- Vendimi i Gjykatës dhe Statuti (të noterizuar) brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit;
- Ekstrakti i Gjykatës (i cili merret në Zyrën e Regjistrimit të OJF-ve, pranë Gjykatës së Qarkut, Tiranë) – origjinal sa më pranë ditës së mbylljes së aplikimit;
- NIPT-i (i noterizuar) brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit;
- Vërtetim nga Drejtoria e Tatim Taksave (që Organizata nuk ka detyrime të pashlyera përsa u përket kontributeve për sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe tatim-taksat) – origjinal brenda afatit të Thirrjes;
- Vërtetim bankar (ku pasqyrohen numri IBAN dhe numri i llogarisë së Organizatës, në lekë) – origjinal brenda afatit të Thirrjes;
- CV të Organizatës (të firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor i OJF- së) dhe Licencën e lëshuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nëse ka aktivitetete të parashikuara në projekt që nuk mund të kryhen pa zotëruar një Licencë të akorduar nga autoritet publike (për shembull: në rastet kur projekt-propozimet kanë aktivitete që kërkojnë ekspertizën e psikologut, ky i fundit duhet të ketë licensë për të kryer këtë funksion);
- Deklaratë/Marrëveshje Partneriteti (origjinale ose fotokopje të noterizuar, në rast se ka partneritet në këtë projekt-propozim).
Vini re:
Në momentin e shqyrtimit të dosjes me projekt-propozimin/et nga Komisioni i Posaçëm i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC), në rast mungese të njërit prej dokumenteve të lartpërmendura, apo nëse nuk do të jetë në formën e kërkuar do skualifikohet.
Për pyetje në lidhje me këtë thirrje për projekt-propozime, ju lutemi na shkruani në adresën e-mail: info@amshc.gov.al