Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), në kuadrin e konkurimit të hapur dhe transparent sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin Nr. 10093, datë 09.03.2009 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, në përputhje me statutin dhe misionin e saj: Asistencë Financiare për një zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe krijimin e kushteve të favorshme për nisma qytetare në të mirë dhe interes të publikut; shpall këtë Thirrje për Shprehje Interesi për të gjitha OJF-të e interesuara për projekte.
OJF-të janë të lutura t’i sjellin projekt-propozimet dorazi pranë zyrave të reja të AMSHC-së në adresën: Rruga “Frosina Plaku”, Nr. 58, Godina e Observatorit, Kati II, Tiranë
Projekt-Propozimet duhet të na dërgohen gjithashtu edhe elektronikisht vetëm në formatin Word në adresën tonë e-mail: info@amshc.gov.al (Në variantin elektronik nuk është e nevojshme firma dhe vula e skanuar).
Pas vlerësimeve të projekt-propozimeve, do të bëhet shpallja e projekteve fituese dhe do të nisë lidhja e kontratave.
Theksojmë se pas konsultimeve dhe diskutimeve të përbashkëta të AMSHC-së me OJF-të lidhur me prioritetet e sugjeruara nga organizatat dhe në mbështetje të legjislacionit dhe misionit të AMSHC-së, si edhe në përputhje me prioritetet qeveritare, Bordi Mbikëqyrës i AMSHC-së vendosi të përzgjedhë pikërisht ato të cilat ishin më të zëshme. Kjo për të treguar që konsultat direkte vlejnë dhe zëri i organizatave dëgjohet.
Ftohen OJF-të e interesuara të sjellin projekt-propozime që kanë si objekt dhe mbulojnë fushat e mëposhtme:
- Mbështetje e nismave që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të personave me aftësi të kufizuar, përfshi këtu fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe përditësimin e operatorëve, sensibilizimin e shoqërisë dhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj kësaj kategorie;
- Promovimi i nismave të qeverisjes së mirë, përfshi këtu luftën ndaj korrupsionit, zhvillimin e demokracisë dhe pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse të qyterarëve në politikbërje;
- Promovimi dhe integrimi shoqëror i komunitetit rom dhe pakicave të tjera të pranishme në Shqipëri;
- Fuqizimi i organizatave të shoqërisë civile, kryesisht ato të sapoformuara, të drejtuara nga të rinj dhe me aktivtete e seli në zonat periferike të Shqipërisë;
- Fuqizimi i barazisë gjinore, luftës kundër diskriminimeve që rrjedhin nga seksi, raca apo bindje të tjera personale;
- Fuqizimi i nismave që kanë si objektiv mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e ndërgjegjshmërisë ambientaliste të qytetarëve, kryesisht të rinjve;
- Forcimi i institucionit të tolerancës dhe dialogut si vlera themelore të demokracisë (të drejtat e njeriut, lufta kundër dhunës dhe diskriminimit, diversiteti si vlerë dhe pasuri për një shoqëri demokratike);
- Fuqizimi i vullnetarizmit,sidomos atij rinor, si edhe lidhjeve me partnerë rajonalë dhe ndërkombëtarë në këtë sektor;
- Fuqizimi i nismave kulturore dhe artistike që krijojnë vlerë të shtuar për kontekstin social dhe zhvillimin e sinergjive brenda shoqerise civile
Aplikuesit, persona juridike që janë regjistruar sipas ligjit dhe kryejnë veprimtari në përputhje me qëllimin e përcaktuar në statutin e tyre, kanë të drejtë të aplikojnë, konkurojnë dhe të paraqesin projekt-propozimet e tyre.
Formularin e aplikimit për projekt-propozime mund ta shkarkoni nga faqja jonë zyrtare në adresën: www.amshc.gov.al
Kohëzgjatja maksimale e projekt-propozimeve të jetë deri në 8 (tetë) muaj.
Thirrja është e ndarë në dy komponentë:
- Financime të mbuluara nga AMSHC
- Financime të mbuluara nga donatorë të tjerë dhe AMSHC
(Për këtë komponent është përcaktuar 20% nga fondi i përgjithshëm)
Afati i fundit kohor për dorëzimin vetëm dorazi si dhe me e-mail të projekt-propozimeve është ditën e premte, datë 6 mars 2015 ora 14:00. Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë projekt-propozim.
Projekt-propozimet duhet të shoqërohen me dokumentet e mëposhtme:
- Formulari i plotësuar i aplikimit, i vulosur dhe i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i Organizatës (Formulari duhet firmosur në çdo faqe);
- Vendimi i Gjykatës dhe Statuti (të noterizuar);
- Ekstrakti i Gjykatës (i cili merret në Zyrën e Regjistrimit të OJF-ve, pranë Gjykatës së Qarkut, Tiranë) – origjinal ose i noterizuar;
- NIPT-i (i noterizuar);
- Vërtetim nga Drejtoria e Tatim Taksave (që Organizata nuk ka detyrime të pashlyera përsa u përket kontributeve për sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe tatim-taksat) – origjinal ose i noterizuar;
- Vërtetim bankar (ku pasqyrohen numri IBAN dhe numri i llogarisë së Organizatës, në lekë) – origjinal;
- CV të Organizatës (të firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor i OJF-së) dhe Licencën e lëshuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nëse ka aktivitetete të parashikuara në projekt që nuk mund të kryhen pa zotëruar një Licencë të akorduar nga autoritet publike (për shembull: në rastet kur projekt-propozimet kanë aktivitete që kërkojnë ekspertizën e psikologut, ky i fundit duhet të ketë licensë për të kryer këtë funksion);
- Deklaratë/Marrëveshje Partneriteti (origjinale ose fotokopje të noterizuar, në rast se ka partneritet në këtë projekt-propozim)
Vini re:
Në momentin e dorëzimit të projekt-propozimeve në rast mungese të njërit prej dokumenteve të lartpërmendura, apo nëse nuk do të jetë në formën e kërkuar do skualifikohet.
Për pyetje në lidhje me këtë thirrje për projekt-propozime, ju lutemi na shkruani në adresën e-mail: info@amshc.gov.al