Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), në kuadrin e konkurimit të hapur dhe transparent sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin Nr. 10093, datë 09.03.2009 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, në përputhje me statutin dhe misionin e saj: Asistencë Financiare për një zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe krijimin e kushteve të favorshme për nisma qytetare në të mirë dhe interes të publikut; shpall këtë Thirrje për Shprehje Interesi për të gjitha OJF-të e interesuara për projekte.
OJF-të janë të lutura t’i sjellin projekt-propozimet dorazi pranë zyrave të AMSHC-së në adresën:
Rr Abdi Toptani Nr. 4, Kati 4, Tiranë.
Projekt-Propozimet duhet të na dërgohen gjithashtu edhe elektronikisht vetëm në formatin Word në adresën tonë e-mail: info@amshc.gov.al (Në variantin elektronik nuk është e nevojshme firma dhe vula e skanuar).
Pas vlerësimeve të projekt-propozimeve, do të bëhet shpallja e projekteve fituese dhe do të nisë lidhja e kontratave.
AMSHC-ja fton OJF-të e interesuara të sjellin projekt-propozime që kanë si objekt dhe mbulojnë fushat e mëposhtme:
- Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit (Lufta kundër korrupsionit, pandëshkueshmërisë, etj);
- Forcimi i institucionit të tolerancës dhe dialogut si vlera themelore të demokracisë (të drejtat e njeriut, lufta kundër dhunës dhe diskriminimit, diversiteti si vlerë dhe pasuri për një shoqëri demokratike);
- Mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm (turizmi, shëndeti publik, shkollat, etj);
- Fuqizimi i kapaciteteve të brezit të ri nëpërmjet nismave të sipërmarrjes së lirë;
- Promovimi dhe menaxhimi i vlerave të trashëgimisë kulturore;
- Fuqizimi i bashkëpunimit dhe partneritetit midis organizatave të shoqërisë civile; forcimi i kapaciteteve të vetë organizatave; nxitja e përfshirjes së shoqërisë civile në politikë-bërje dhe në vendimmarrje;
Aplikuesit, persona juridike që janë regjistruar sipas ligjit dhe kryejnë veprimtari në përputhje me qëllimin e përcaktuar në statutin e tyre, kanë të drejtë të aplikojnë, konkurojnë dhe të paraqesin projekt-propozimet e tyre.
Formularin e aplikimit për projekt-propozime mund ta shkarkoni nga faqja jonë zyrtare
në adresën: www.amshc.gov.al
- Projektet me kohëzgjatjen deri në katër muaj vlera maksimale e kërkuar të jetë
deri në 1,500,000 (milion) lekë. - Projektet me kohëzgjatjen mbi katër muaj deri në një vit vlera maksimale e kërkuar të jetë
deri në 3,000,000 (milion) lekë.
Afati i fundit kohor për dorëzimin vetëm dorazi, si dhe me e-mail të projekt-propozimeve është
data 30 qershor 2014. Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë projekt-propozim.
Projekt-propozimet duhet të shoqërohen me dokumentet e mëposhtme:
- Formulari i plotësuar i aplikimit, i vulosur dhe i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i Organizatës(Formulari duhet firmosur në çdo faqe);
- Vendimi i Gjykatës dhe Statuti (të noterizuar);
- Ekstrakti i Gjykatës (i cili merret në Zyrën e Regjistrimit të OJF-ve, pranë Gjykatës së Qarkut, Tiranë);
- NIPT-i (i noterizuar);
- Vërtetim nga Drejtoria e Tatim Taksave (që Organizata nuk ka detyrime të pashlyera përsa u përket kontributeve për sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe tatim-taksat);
- Vërtetim bankar (ku pasqyrohen numri IBAN dhe numri i llogarisë së Organizatës, në lekë);
- CV të Organizatës (të firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor i OJF-së) dhe Licencën e lëshuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nëse ka aktivitetete të parashikuara në projekt që nuk mund të kryhen pa zotëruar një Licencë të akorduar nga autoritet publike (për shembull: në rastet kur projekt-propozimet kanë aktivitete që kërkojnë ekspertizën e psikologut, ky i fundit duhet të ketë licensë për të kryer këtë funksion);
- Deklaratë/Marrëveshje Partneriteti (origjinale ose fotokopje të noterizuar, në rast se ka partneritet në këtë projekt-propozim).
Vini re:
Në momentin e dorëzimit të projekt-propozimeve në rast mungese të njërit prej dokumenteve të lartpërmendura, apo jo në formën e kërkuar, aplikimi nuk do të pranohet.
Për pyetje në lidhje me këtë thirrje për projekt-propozime, ju lutemi na shkruani në adresën e-mail: info@amshc.gov.al ose telefononi në numrin: (04) 22 35 569.