Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC), në kuadrin e konkurimit të hapur dhe transparent sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin Nr. 10 093, datë 09.03.2009 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, në përputhje me statutin dhe misionin e saj: Asistencë Financiare për një zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë civile dhe krijimin e kushteve të favorshme për nisma qytetare në të mirë dhe interes të publikut; shpall këtë Thirrje për Shprehje Interesi për të gjitha OJF-të e interesuara për projekte.
OJF-të janë të lutura t’i sjellin projekt-propozimet dorazi pranë zyrave të AMSHC-së në adresën:
Rruga “Frosina Plaku”, Nr. 58, Godina e Observatorit, Kati II, Tiranë.
Projekt-Propozimet duhet të na dërgohen gjithashtu edhe elektronikisht vetëm në formatin Word në adresën tonë e-mail: info@amshc.gov.al
(Në variantin elektronik nuk është e nevojshme firma dhe vula e skanuar).
Pas vlerësimeve të projekt-propozimeve, do të bëhet shpallja e projekteve fituese dhe do të nisë lidhja e kontratave.
Ftohen OJF-të e interesuara të sjellin projekt-propozime që kanë si objekt dhe mbulojnë fushën prioritare:
- Kujdesi ndaj mjedisit dhe ambientit, duke promovuar nisma ndërgjegjësuese dhe aksione të tjera në drejtimin e mirëmbajtjes ambientale dhe territoriale dhe prioritetet e tjera:
- Fuqizimi i kapaciteteve rinore në fushën e vullnetarizmit, trajnimeve, sipërmarrjes sociale, turizmit dhe arsimit gjithëpërfshirës dhe të vazhdueshëm si dhe protagonizmit në krijimin e organizatave të shoqërisë civile;
- Mbështetje për shtresat në nevojë dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë (jetimët, personat me aftësi të kufizuar,minoritete, LGBTI, etj) nëpërmjet fuqizimit të kapaciteteve të tyre dhe aksioneve të përfshirjes komunitare;
- Fuqizimi i shtetit të së drejtës, nëpërmjet mbështetjes së iniciativave që kanë në fokus luftën ndaj korupsionit, qytetarinë aktive, rritjen e pjesëmarrjes qytetare në vendimarjet lokale dhe qëndrore si dhe advokacinë për nisma ligjore;
- Turizmi dhe kultura, si një binom zhvillimi për territorin e Shqipërisë, nëpërmjet inciaitivave që kanë si qëllim rritjen e përdorimit të resurseve turistike dhe kulturore, të ndërthurura me protagonizmin rinor dhe atë të shoqërisë civile
Aplikuesit, persona juridike që janë regjistruar sipas ligjit dhe kryejnë veprimtari në përputhje me qëllimin e përcaktuar në statutin e tyre, kanë të drejtë të aplikojnë, konkurojnë dhe të paraqesin projekt-propozimet e tyre.
Formularin e aplikimit për projekt-propozime mund ta shkarkoni nga faqja jonë zyrtare në adresën: www.amshc.gov.al.
Kohëzgjatja minimale e projekt-propozimeve do të jetë 6 (gjashtë) muaj, ndërsa koha maksimale e tyre të jetë deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj.
Afati i fundit kohor për dorëzimin vetëm dorazi si dhe me e-mail të projekt-propozimeve është dita e hënë, datë 12 Shkurt 2018 ora 16:30. Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë projekt-propozim.
Projekt-propozimet duhet të shoqërohen me dokumentet e mëposhtme:
- Formulari i plotësuar i aplikimit, i vulosur dhe i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i Organizatës (Formulari duhet firmosur në çdo faqe);
- Vendimi i Gjykatës dhe Statuti (të noterizuar) brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit;
- Ekstrakti i Gjykatës (i cili merret në Zyrën e Regjistrimit të OJF-ve, pranë Gjykatës së Qarkut, Tiranë) – origjinal sa më pranë ditës së mbylljes së aplikimit;
- NIPT-i (i noterizuar) brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit;
- Vërtetim nga Drejtoria e Tatim Taksave (që Organizata nuk ka detyrime të pashlyera përsa u përket kontributeve për sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe tatim-taksat) – origjinal brënda afatit të Thirrjes;
- Vërtetim bankar (ku pasqyrohen numri IBAN dhe numri i llogarisë së Organizatës, në lekë) – origjinal brenda afatit të Thirrjes;
- CV të Organizatës (të firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor i OJF-së) dhe Licencën e lëshuar nga autoritetet publike në rast se ka aktivitetete të parashikuara në projekt, të cilat nuk mund të kryhen pa zotëruar Licencën përkatëse (për shembull: në rastet kur projekt-propozimet kanë aktivitete që kërkojnë ekspertizën e psikologut, ky i fundit duhet të ketë licensë për të kryer këtë funksion);
- Deklaratë/Marrëveshje Partneriteti origjinale ose fotokopje të noterizuar, në rast se ka partneritet në këtë projekt-propozim)
Vini re:
Në momentin e shqyrtimit të dosjes me projekt-propozimin/et nga Komisioni i Posaçëm i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC), në rast mungese të njërit prej dokumenteve të lartpërmendura, apo nëse nuk do të jetë në formën e kërkuar do skualifikohet.
Për pyetje në lidhje me këtë thirrje për projekt-propozime, ju lutemi na shkruani në adresën e-mail: info@amshc.gov.al