Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC) në vijim të Vendimit të Bordit Mbikqyrës të AMShC-së njofton anulimin e Thirrjes 13 të pezulluar për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 si dhe buxhetit të reduktuar në mbështetje të akteve normative për këtë situatë.
Në këtë kuadër, AMSHC njofton shpalljen e Thirrjes 13 (të vogël) 22 qershor – 23 korrik 2020.
Ftohen OJF-të e interesuara të sjellin projekt-propozime që kanë si objekt dhe mbulojnë fusha të kësaj Thirrje të vogël*, të fokusuara tek emergjenca e krijuar nga pandemia e COVID-19:
- Shëndetësia dhe telemjekësia (MED) si mundësi për monitorimin e pacientëve duke ju përshtatur kushteve shkaktuar nga COVID-19, në distancë si dhe ofrimin e shërbimeve të mjekësisë në familje ONLINE;
- Shërbime psikosociale për situatën e post-COVID-19 për grupet në nevojë (të moshuarit, PAK, fëmijët PAK etj), përfshirë këshillim dhe terapi psikologjike, si edhe shërbime juridike, online;
- Trajnime online të personelit shëndetësor lidhur me situatën e COVID-19;
- Iniciativa të tjera inovative për të përmirësuar situatën e krijuar nga COVID-19;
- Nxitja, stimulimi dhe fuqizimi i vullnetarizmit;
- Mbështetje psikologjike, sensibilizuese dhe mjekësore nëpërmjet platformave të ndryshme
Në kuadër të masave të marra për të parandaluar përhapjen e COVID-19, OJF-të janë të lutura që projekt-propozimin të mos i dorëzojnë fizikisht pranë zyrave të AMShC-së, por vetëm nëpërmjet shërbimit postar publik apo privat në adresën:
Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC)
Rruga “Frosina Plaku”, Nr. 58, Kati II, Tiranë
Projekt-Propozimet duhet të na dërgohen gjithashtu edhe elektronikisht vetëm në formatin Word në adresën tonë e-mail: info@amshc.gov.al
(Në variantin elektronik nuk është e nevojshme firma dhe vula e skanuar).
Pas vlerësimeve të projekt-propozimeve, do të bëhet shpallja e projekteve fituese dhe do të nisë lidhja e kontratave.
Aplikuesit, persona juridike që janë regjistruar sipas ligjit dhe kryejnë veprimtari në përputhje me qëllimin e përcaktuar në statutin e tyre, kanë të drejtë të aplikojnë, konkurojnë dhe të paraqesin projekt-propozimet e tyre.
Formularin e aplikimit për projekt-propozime mund ta shkarkoni nga faqja jonë zyrtare në adresën: www.amshc.gov.al.
Shuma maksimale e financimit me grant për projekt është deri në 1,000,000 (një milion) lekë.
Afati i fundit kohor për dorëzimin e aplikimeve është ora 16:30, datë 23 korrik 2020. Gjithashtu edhe projekt-propozimet në formatin elektronik (Word) duhet të dërgohen brenda këtij afati në adresën info@amshc.gov.al. Çdo aplikim i dorëzuar pas këtij afati do të konsiderohet i pavlefshëm.
Projekt-propozimet duhet të shoqërohen me dokumentet e mëposhtme:
- Formulari i plotësuar i aplikimit, i vulosur dhe i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i Organizatës (Formulari duhet firmosur në çdo faqe);
- Fotokopje të Vendimit të Regjistrimit të Gjykatës dhe Statutit të Organizatës;
- Ekstrakti i Gjykatës (i cili merret në Zyrën e Regjistrimit të OJF-ve, pranë Gjykatës së Qarkut, Tiranë) – origjinal brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit;
- Fotokopje e NIPT-it;
- Vërtetim nga Drejtoria e Tatim Taksave (që Organizata nuk ka detyrime të pashlyera përsa u përket kontributeve për sigurimet shoqërore, shëndetësore) – origjinal ose me vulë digjitale (i shkarkuar nga shërbimi www.e-albania.al) brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit;
- Vërtetim bankar (ku pasqyrohen numri IBAN dhe numri i llogarisë së Organizatës, në lekë) – brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit;
- CV të Organizatës (të firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor i OJF-së) dhe Licencën e lëshuar nga autoritetet publike në rast se ka aktivitetete të parashikuara në projekt, të cilat nuk mund të kryhen pa zotëruar Licencën përkatëse (për shembull: në rastet kur projekt-propozimet kanë aktivitete që kërkojnë ekspertizën e psikologut, ky i fundit duhet të ketë licensë për të kryer këtë funksion);
- Deklaratë/Marrëveshje Partneriteti (origjinale ose fotokopje të noterizuar, në rast se ka partneritet në këtë projekt-propozim);
Vini re:
- Në momentin e shqyrtimit të dosjes me projekt-propozimin/et nga Komisioni i Posaçëm i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC), në rast mungese të njërit prej dokumenteve të lartpërmendura, apo nëse nuk do të jetë në formën e kërkuar do skualifikohet.
- Për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, dokumentacionet e vulosura prej datës 2 mars 2020 e në vijim do të konsiderohen të vlefshme në kuadër të kësaj thirrje
- Për pyetje në lidhje me këtë thirrje për projekt-propozime, ju lutemi na shkruani në adresën e-mail: info@amshc.gov.al
* Thirrja 13 (e vogël) shpallet për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe me buxhet të reduktuar në zbatim të Aktit Normativ Nr. 6, datë 21. 3.2020 “Për buxhetin e vitit 2020”.