Instituti i Studimeve Sociale dhe Humane (ISSH) prezanton studimin “Përshpejtim i zhvillimit dhe bashkëpunimit qytetar”
Tiranë, 17 dhjetor 2019
Përfaqësues të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC) morën pjesë në prezantimin e studimit “Përshpejtim i zhvillimit dhe bashkëpunimit qytetar”, të realizuar nga Instituti i Studimeve Sociale dhe Humane (ISSH) me përkrahjen e USAID, në kuadër të projektit “Përmirësimi i politikave lokale të qeverisjes, nëpërmjet pjesëmarrjes demokratike të qytetarëve”.
Gjetjet e studimit i prezantoi Drejtori Ekzekutiv i Institutit z. Leart Kola, ndërsa qëndrimet e Ministrisë së Brendshme i prezantoi Zv.Ministrja znj. Romina Kuko, e cila iu përgjigj gjithashtu pyetjeve të pjesëmarrësve lidhur me decentralizimin dhe ndryshimet, që ka sjellë reforma administrativo-territoriale e vitit 2013 si dhe procesin e regjistrimit dhe sinjalizimit të adresave.
Prezente në panel ishte edhe Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë znj. Anuela Ristani, e cila iu përgjigj interesit të pjesëmarrësve, ndër të tjera edhe mbi çështjen e centralizimit të një pjese të funksioneve pranë bashkive. Kjo çështje ka bërë që disa procedura të kenë ende nevojë për përmirësim. Sugjerimi i propozuar ishte përpilimi nga ana e bashkisë i formularëve standarde për ankesa/kërkesa të ndryshme, për t’ia lehtësuar komunikimin qytetarëve me institucionin.
Ky studim tenton të përmirësojë politikat lokale të qeverisjes, nëpërmjet pjesëmarrjes demokratike të qytetarëve si dhe për t’iu shërbyer më mirë nevojave të qytetarëve, me fokus të veçantë grupet vulnerabël.
Për realizimin e studimit një grup ekspertësh të fushave të ndryshme kanë bashkëpunuar për gjatë një viti duke marrë në analizë bashkitë: Tiranë, Lezhë, Peshkopi, Korçë dhe Sarandë.