Samiti për Demokraci është një nismë globale e ndërmarrë për herë të parë në vitin 2021 nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara, me Presidentin Biden që organizoi liderët botërorë në një mbledhje në datat 9-10 dhjetor 2021 drejt rinovimit demokratik global, që mblodhi së bashku qeveritë, autoritetet, mediat, akademinë, sektorin e biznesit dhe Shoqërinë civile në mbarë botën për mbrojtjen e demokracisë si sfida përcaktuese e kohës sonë.
Përgjatë vitit 2022 si “Viti i Veprimit” të Samitit, platformat me shumë palë të interesuara kanë lançuar të quajtura Kohorte Demokracie, për të ndërmarrë veprime të bashkërenduara drejt zbatimit të angazhimit në fushat me interes të përbashkët. Kohorta e Demokracisë për Antikorrupsionin në të cilën Shqipëria është një vend partner, do të bashkojë qeveritë dhe autoritetet që demonstrojnë vullnet politik drejt përparimit në angazhimet e Samitit në fushën e luftës kundër korrupsionit, së bashku me kritikën konstruktive dhe kontributin e organizatave kryesore joqeveritare. Kohorta do të bashkëdrejtohet nga disa qeveri dhe autoritete dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Procesi do të ofrojë mundësi për dialog dhe bashkëpunim kuptimplotë ndërmjet përfaqësuesve të shoqërisë civile, drejtuesve të sektorit privat, partnerëve filantropikë, akademikëve dhe vendimmarrësve të qeverisë për çështje jetike për qeverisjen e mirë dhe rinovimin demokratik.
Për të mundësuar kontributin kuptimplotë të Shqipërisë në Samitin dhe Kohortën kundër Korrupsionit , Qeveria Shqiptare fton të gjitha Organizatat e Shoqërisë Civile të interesuara të paraqesin aplikimin e tyre për 3 vendet vakante përfaqësuese shqiptare nga sektori i OJF-ve.
OShC-të aplikante duhet të plotësojnë kriteret e renditura si më poshtë:
- Organizatat e Shoqërisë Civile duhet të jenë të regjistruar në përputhje me kuadrin ligjor shqiptar;
- Nuk duhet të jenë degë e një organizate ndërkombëtare që vepron në Shqipëri;
- Veprimtaria e tyre duhet të tejkalojë rëndësinë lokale/rajonale në operacionet dhe implementimet e saj për avancimin e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri;
- OShC-të duhet të kenë të paktën 5 vjet eksperiencë të dëshmuara të kontributit në drejtim të aktivizmit/promovimit/monitorimit/kërkimit/raportimit/advokimit/proceseve gjyqësore në lidhje me aspekte të luftës kundër korrupsionit në vend.
*Të gjitha njohuritë, ekspertiza dhe aktivitetet e mëparshme rajonale dhe ndërkombëtare do të konsiderohen si avantazh.
OShC-të aplikuese duhet të dorëzojnë në mënyrë elektronike në adresën e postës elektronike info@amshc.gov.al dokumentacionin e mëposhtëm:
- Portofoli i përditësuar i ekspertizës;
- Pesë (5) letra mbështetëse nga organizata të tjera të cilat mbështesin kandidatin;
- Letër motivimi;
- Projekte/ publikime /raporte/vendimeve gjyqësore të tyre (në rastet e çështjeve gjyqësore) dhe të gjitha vërtetimet e tjera të veprimtarisë së tyre në fushën e luftës kundër korrupsionit për të paktën 5 vjet, sipas kritereve të aplikimit;
Aplikimet do të vlerësohen në bazë të dokumentacionit të dorëzuar dhe fituesit do të shpallen në faqen zyrtare www.amshc.gov.al
Qeveria Shqiptare mirëpret aplikimet tuaja deri më 20 Dhjetor 2022.