Tiranë, 18 janar 2020
Përfaqësuesi i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC), z. Ferhat Aga, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët “Të drejtat e të miturve në konflikt me ligjin dhe trajtimi i tyre në mënyrë të barabartë gjatë vazhdimit të procesit mësimor” organizuar nga Qendra ALTERUM, në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe garantimi procedural i të drejtave dhe rishoqërizimit, riintegrimit dhe rehabilitimit të të miturve / të rinjve në konflikt me ligjin”.
Projekti i mbështetur financiarisht nga AMShC dhe veçanërisht, aktiviteti i datës 18 janar 2020, fokusohet në ndarjen e gjetjeve të studimit dhe organizimit të një diskutimi lidhur me problematikat dhe rekomandimet e ndërmarra me qëllim përmirësimin e situatës së të miturve në konflikt me ligjin.
Të pranishëm të tjerë në event ishte znj. Valbona Treska – Presidente e Urdhrit të Psikologut, e cila mbajti edhe fjalë përshëndetëse duke inkurajuar të pranishmit lidhur me rritjen e sensibilizimit të tyre mbi të drejtat e të miturve në procesin gjyqësor.
Z. Klodjan Skenderaj – Asoc. Prof. Dr. – ekspert pranë Qendrës ALTERUM, ndau me të pranishmit pozitën procedurale të të miturit gjatë procesit penal sikurse znj. Arbesa Kurti – Msc. Av. – eksperte pranë Qendrës ndau gjetjet dhe të dhënat statistikore lidhur me nivelin e kriminalitetit të të miturve gjatë periudhës 2018 – 2019.