Ministria e Brendshme rihap thirrjen për pjesëmarrje në Platformën e Partneritetit për Integrimin Evropian (Kapitulli 24).
Konferenca e Parë Ndërqeveritare e mbajtur më datë 19 korrik 2022 midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, shënoi hapjen zyrtare të negociatave për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministria e Brendshme si institucion udhëheqës për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria” si një prej kapitujve më të rëndësishëm të acquis së Bashkimit Evropian, pjesë e grupit të kapitujve themelorë (Cluster 1 ‘Fundamentals’), i kushton vëmendje të veçantë bashkëpunimit me shoqërinë civile, akademinë, median, si dhe profesionistë të pavarur dhe njohës të fushës, në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga ky proces transformimi gjithëpërfshirës për vendin, institucionet dhe shoqërinë.
Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian (Kapitulli 24), ka mundësuar vitin e shkuar rritjen e ndërveprimit, shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit mes institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm (akademia, media, pushteti vendor etj.), përmes takimeve të ndryshme tematike të organizuara, me pjesëmarrjen dhe të partnerëve, donatorëve dhe ekspertëve nga shtete anëtare të BE-së.
Me përmbylljen me sukses të dy takimeve në Bruksel për Kapitullin 24 (‘explanatory’ dhe ‘screening’), respektivisht në shtator dhe nëntor 2022 dhe duke i paraprirë hapave dhe masave të parashikuara përgjatë këtij viti, si dhe në përgjigje të interesit të shtuar, transparencës dhe rritjes së mëtejshme të bashkëpunimit për këtë qëllim, Ministria e Brendshme rihap thirrjen për pjesëmarrje në Platformën e Partneritetit për Integrimin Evropian (Kapitulli 24).
Të interesuarit luten të dërgojnë CV-të e tyre dhe shprehjen e interesit brenda datës 30.01.2023 në adresën elektronike Ingrid.dano@mb.gov.al.