Përfaqësues nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), marrin pjesë në Konferencën e VI Kombëtare “E Drejta për Informim – Ndërtimi i besimit, Promovimi i transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në politikat kundër korrupsionit”
Në fokus të Konferencës ishte roli i domosdoshëm i shoqërisë civile dhe medias në promovimin e aksesit në informacion dhe transparencës dhe në formimin e institucioneve të përgjegjshme dhe me integritet, si dhe ndarja e praktikave më të mira në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, si shtylla të qasjes parandaluese të antikorrupsionit.
Transparenca, llogaridhënia dhe aksesi në informacion janë çelësi për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe demokratike. E drejta për të pasur akses në informacion është thelbësore në krijimin e institucioneve llogaridhënëse dhe me integritet. Nëse qytetarët janë të painformuar nuk mund të kërkojnë llogari nga qeveria e tyre për korrupsionin në sektorin publik. Aksesi në informacion cilësor shërben si një katalizator për një shoqëri të hapur e demokratike dhe për garantimin e të drejtave të qytetarëve.
Edicioni i VI i Konferencës Kombëtare me temë “E Drejta për Informim – Ndërtimi i besimit – Promovimi i transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në politikat kundër korrupsionit”, mblodhi bashkë në formën e një tryeze diskutimi, autoritetet publike përfaqësuar nga titullarët dhe koordinatori për të drejtën për informim, koordinatori kundër korrupsionit, si dhe koordinatori për njoftimin dhe konsultimin publik, të institucioneve qendrore, së bashku me të pushtetit vendor, të pavarura dhe të gjyqësorit, bashkë me ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Kjo konferencë do të shërbejë për të eksploruar rolin kritik të aksesit në informacion sipas parimeve të transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies, si dhe për të diskutuar gjendjen e transparencës së autoriteteve publike shqiptare, problematikat ekzistuese, si dhe propozime për rritjen e saj në nivelet e kërkuara.