Tiranë, 5 shkurt 2020
Përfaqësues nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC) mori pjesë në “Forumin e Shoqërisë Civile Kundër Korrupsionit”, të organizuar nga Ministrja e Drejtësisë, njëherazi dhe Koordinatore Kombëtare Kundër Korrupsionit, i cili u mbajt në ambjentet e Ministrisë së Drejtësisë.
Në fjalën e saj të hapjes, znj. Gjonaj prezantoi draftin e ri të Strategjisë Kundër Korrupsionit për periudhën 2020-2023, ku përfshihet lufta ndaj korrupsionit në administratën publike dhe do të fokusohet te qasja parandaluese, qasja represive e ndëshkuese dhe ajo ndërgjegjësuese.
Përfaqësuesi i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC), z. Aga prezantoi shkurtimisht rolin që AMShC-së ka në mbështetjen e nismave të shoqërisë civile në projektet që ndërmarrin në kuadër të antikorrupsionit, transparencës, llogaridhënies dhe integritetit.
Të ftuar të tjerë në forum, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile si dhe ekspertë kundër korrupsionit prezantuan projekte të ndryshme në luftën kundër korrupsionit, pro integritetit, llogaridhënies dhe transparencës.
Ky forum organizohet në kuadër të “Javës së Integritetit”, nismë e cila mundësohet në bashkëpunim me Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë në Shqipëri si dhe mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Hollandeze në Shqipëri.