ASHMC Logo

Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile

Rrepublika e Shqipërisë
  • Shqip
  • English

  • THIRRJE NR. 18 PËR PROJEKT-PROPOZIME (13 Maj 2025 deri 13 Qershor 2025)

    Publikuar në: 13/05/2025 Kategoria: Lajme dhe VeprimtariNjoftimeThirrje për projekte


    Publikuar në 13/05/2025

    THIRRJE NR. 18 PËR PROJEKT-PROPOZIME

    PERIUDHA KOHORE E APLIKIMEVE (13/05/2025 deri 13/06/2025)

    AGJENCIA PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE (AMSHC), në kuadrin e konkurrimit të hapur dhe transparent sipas kushteve dhe  kritereve të përcaktuara në nenet 8, 21, 22, 23, të Ligjit Nr. 10 093, datë 09.03.2009 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, në nenet 5, 10, të VKM-së 769/2009 “Për miratimin e statutit të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, e ndryshuar, Vendimit 02 të Bordit Mbikqyrës të datës  14/04/2025 dhe akteve nënligjore në zbatim të legjislacionit në fuqi,  në përputhje me fushën e saj të veprimtarisë, SHPALL këtë Thirrje për shprehje interesi për aplikime nga ana e OJF-ve që operojnë në Republikën e Shqipërisë.

    Për të gjitha OJF-të e interesuara që përmbushin kriteret ligjore, jeni të lutur  të depozitoni aplikimet tuaja për projekt-propozime sipas fushave prioritare (bashkangjitur) dhe  duke depozituar dokumentacionin  si më poshtë:

    Cilat janë përparësitë /prioritete për të cilat mund të aplikoni?

    (I) FUSHAT MBI PËRPARËSITË/PRIORITETET TË PROJEKT-PROPOZIMEVE:

    1. QEVERISJA E MIRË DHE ANTIKORRUPSIONI

    Qëllimi: Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe pjesemarrjes qytetare në proçeset demokratike.
    Prioritete:

    • Trajnime dhe fushata për edukim ligjor dhe angazhim qytetar.
    • Projekte për rritjen e integritetit dhe luftës ndaj korrupsionit në nivel lokal dhe qëndror.

     

    2. PËRFSHIRJE SOCIALE, TË DREJTAT E NJERIUT DHE FUQIZIMI I GRUPEVE TE MARGJINALIZUARA

    Qëllimi: Promovimi i barazisë, mbrojtjes sociale dhe përfshirjes së grupeve te pambrojtura.
    Prioritete:

    • Projekte për gra, minoritete dhe persona me aftësi të kufizuara.
    • Aktivitet sportive dhe kulturore për përfshirje sociale.
    • Fushata për të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.

    3.ZHVILLIMI EKONOMIK, PUNESIMI DHE INOVACIONI

    Qëllimi: Fuqizimi ekonomik i komuniteteve dhe rritja e punësimit nëpërmjet inovacionit dhe arsimit.
    Prioritete:

    • Trajnime profesionale për gra dhe të rinj.
    • Projekte zhvillimi turizmi dhe agrobiznesi.
    • Kurse edukimi digjital për grupet e margjinalizuara në zonat më pak të zhvilluara.

    4.MBROJTJA E MJEDISIT DHE TRANZICIONI I GJELBËR

    Qëllimi Rritja e angazhimit komunitar për ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
    Prioritete:

    • Fushata mbi ndryshimet klimatike dhe energjitë e rinovueshme.
    • Projekte për ruajtjen e biodiversitetit dhe bujqësi e qendrueshme.
    • Edukim mjedisor dhe aktivizim qytetar.

    5.KULTURA, ARSIMI, SHENDETI DHE TRASHËGIMIA

    Qëllimi: Nxitja e edukimit, kultures dhe shendetit publik si mjete per zhvillim dhe kohezion social.
    Prioritete:

    • Promovimi i kultures dhe trashëgimise kulturore.
    • Fushata ndergjegjesimi per shendetin mendor dhe publik.
    • Aktivitet edukative dhe sportive per te rinj dhe femije.

    Sjellim në vëmendjen tuaj se:

    Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet nënligjore që dalin për zbatim të tij për strategji të ndryshme qeveritare, do të konsiderohen me prioritet të gjitha ato projekt-propozime, të cilat kanë në fokus tregues që janë shtylla në Strategjitë e miratuara nga qeveria.

    Cila është shuma maksimale e financimit dhe kohëzgjatja minimale dhe maksimale e projekt-propozimeve?

     Shuma maksimale e financimit me grant për projekt-propozim është deri në 2 (dy) milionë Lek dhe kohëzgjatja 6 – 12 muaj.

     

    Cilat janë dokumentat që duhet të depozitoni për t’u bërë pjesë e aplikimeve?

     

    (II) LISTA E DOKUMENTACIONIT SHOQËRUES TË PROJEKT-PROPOZIMEVE:

    • Formulari i plotësuar i aplikimit,i vulosur dhe i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i Organizatës (Formulari duhet firmosur dhe vulosur në çdo faqe);
    • Vendim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për themelimin e OJF-së origjinal ose kopje të njësuar me origjinalin brënda tre mujorit të fundit referuar datës së mbylljes së aplikimeve; Nëse OJF ka pësuar ndryshime duhet të depozitohen dhe ndryshimet e bëra;
    • Statutin e OJF-së origjinal ose kopje të njësuar me origjinalin brenda tre mujorit të fundit referuar datës së mbylljes së aplikimeve; Nëse OJF ka pësuar ndryshime duhet të depozitohen dhe ndryshimet e bëra;
    • Ekstrakti i Gjykatës/Vërtetim (i cili merret në Zyrën e Regjistrimit të OJF-ve, pranë Gjykatës së Qarkut, Tiranë)- origjinal brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit;
    • Dokument origjinal që vërteton se kandidati nuk ka detyrime tatimore lëshuar nga organet tatimore (lloji i dokumentit “Vërtetim për Pagim Detyrimesh”);
    • Dokument origjinal që vërteton se kandidati nuk ka detyrime pranë pushtetit vendor (lloji i dokumentit “Vërtetim për likujdimin e detyrimeve vendore”);
    • Çertifikatë regjistrimi (NIPT) origjinal ose kopje të njësuar me origjinalin brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit;
    • Vërtetim për numrin e llogarisë lëshuar nga bankë e nivelit të dytë brenda tre mujorit të fundit referuar datës së mbylljes së aplikimeve;
    • Licensë/Leje për ushtrim veprimtarie origjinal ose fotokopje e noterizuar brënda tre mujorit të fundit referuar datës së mbylljes së aplikimeve. Vetëm në rastet kur aktiviteti/ veprimtarite e kërkuara për t’u financuar nuk mund të kryhen, sipas ligjit, pa zotëruar një licensë të akorduar nga autoritetet publike;
    • CV të Organizatës (të firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor i OJF-së në çdo faqe);
    • Deklaratë/Marrëveshje Partneriteti (origjinale ose fotokopje të noterizuar, në rast se ka partneritet në këtë projekt-propozim);
    • Deklaratë për autorësinë e projekt-propozimit e firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor;
    • Deklaratë e konfliktit të interesit e firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor;
    • Deklaratë mbi origjinalitetin dhe vërtetësinë e dokumentacionit e firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor;
    • Deklaratë e financimit ose jo nga institucione të tjetra shtetërore e firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor;
    • Prokurë të posaçme në rastet kur aplikanti nuk është i njëjtë me përfaqësuesin ligjor të aplikuesit;
    • Dokumentacion i nevojshëm (relacione, referenca), të cilat kërkohen nga AMSHC apo organet e tij në shqyrtimin e projekt-propozimit;

    SHËNIM: Bordit Mbikqyrës në çdo rast i lind e drejta referuar natyrës të projekt-propozimit të kërkojë dokumentacion shtesë të paparashikuar më sipër dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    !VËMENDJE: Dokumentacioni i aplikimit duhet të jetë vetëm në Gjuhën Shqipe dhe të ketë formatin e kërkuar nga AMSHC. Rikujtojmë se nëse të paktën një nga dokumentat nuk do të depozitohet në formën e kërkuar do të përbëjë automatikisht kusht për s’kualifikim.

    Për pyetje apo paqartësi në lidhje me këtë thirrje për projekt-propozime, ju lutemi na shkruani në adresën e e-mail: info@amshc.gov.al

    • Cila është mënyra e aplikimit?

    OJF-të janë të lutura, të sjellin aplikimin e tyre  me dokumentat shoqëruese së bashku me projekt-propozimin vetëm ME POSTË (merret në konsideratë data dhe ora e dorëzimit të aplikimit në postë), në adresën zyrtare të AMSHC-së: Rruga “Frosina Plaku”, Nr. 58, Godina e Observatorit, Kati II, Tiranë.

    Gjithashtu përpara mbylljes së afatit të aplikimeve duhet të  depozitoni në format elektronik  formularin e aplikimit dhe një ekstrakt (përmbledhje) të projekt-propozimit në formatin Word në adresën e-mail: info@amshc.gov.al, me subject “Aplikim Thirrja 18”.

    AFATI I FUNDIT I APLIKIMEVE ËSHTË DATA: 13/06/2025 ORA 14:00.

    Shkarkoni mëposhtë dokumentat e nevojshme: