THIRRJE NR. 19 PËR PROJEKT-PROPOZIME
PERIUDHA KOHORE E APLIKIMEVE (10/03/2026 deri 14/04/2026)
AGJENCIA PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE (AMSHC), në kuadrin e konkurrimit të hapur dhe transparent sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenet 8, 21, 22, 23, të Ligjit Nr. 10 093, datë 09.03.2009 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, në nenet 5, 10, të VKM-së 769/2009 “Për miratimin e statutit të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, e ndryshuar, Vendimit 02 të Bordit Mbikqyrës të datës 03.03.2026 dhe akteve nënligjore në zbatim të legjislacionit në fuqi, në përputhje me fushën e saj të veprimtarisë, SHPALL këtë Thirrje për shprehje interesi për aplikime nga ana e OJF-ve që operojnë në Republikën e Shqipërisë.
Për të gjitha OJF-të e interesuara që përmbushin kriteret ligjore, jeni të lutur të depozitoni aplikimet tuaja për projekt-propozime sipas fushave prioritare (bashkangjitur) dhe duke depozituar dokumentacionin si më poshtë:
CILAT JANË PËRPARËSITË /PRIORITETE PËR TË CILAT MUND TË APLIKONI?
-
FUSHAT MBI PËRPARËSITË/PRIORITETET TË PROJEKT-PROPOZIMEVE:
Në kuadër të mbështetjes së zhvillimit demokratik të vendit dhe forcimit të rolit të shoqërisë civile në proceset e zhvillimit dhe integrimit europian, kjo thirrje për propozime synon të mbështesë iniciativa të organizatave të shoqërisë civile që kontribuojnë në përmbushjen e prioriteteve strategjike të Qeverisë së Shqipërisë për periudhën 2025–2029, si dhe në objektivat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHIE) 2030.
Kjo thirrje synon të mbështesë projekte që kontribuojnë në forcimin e demokracisë pjesëmarrëse, përfshirjen sociale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e transparencës dhe integritetit në jetën publike, në përputhje me prioritetet kombëtare për integrimin europian, zhvillimin e kapitalit njerëzor, qeverisjen e mirë dhe tranzicionin e gjelbër.
Në këtë kuadër, organizatat e shoqërisë civile ftohen të paraqesin projekte që kontribuojnë në një ose më shumë nga fushat prioritare të mëposhtme:
-
VULLNETARIZMI DHE ANGAZHIMI QYTETAR, me fokus në promovimin e kulturës së vullnetarizmit, nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në jetën publike dhe përdorimin e vullnetarizmit si instrument për zhvillimin e komuniteteve dhe mbrojtjen e mjedisit.
-
PJESËMARRJA DHE FUQIZIMI I TË RINJVE, përmes iniciativave që rrisin ndërgjegjësimin mbi të drejtat e të rinjve, mbështesin përfshirjen e tyre në proceset e integrimit europian dhe kontribuojnë në zhvillimin e aftësive dhe integrimin e tyre në tregun e punës.
-
PËRMIRËSIMI I SHËRBIMEVE SOCIALE DHE MBËSHTETJA PËR GRUPET VULNERABËL, duke përfshirë iniciativa për mbështetjen e të moshuarve, viktimave të dhunës, fëmijëve pa kujdes prindëror dhe personave me aftësi të kufizuara.
-
FUQIZIMI EKONOMIK DHE SOCIAL I GRAVE, përmes projekteve që promovojnë sipërmarrjen e grave, mbështesin gratë kryefamiljare dhe rrisin pjesëmarrjen e grave në proceset e vendimmarrjes.
-
MBROJTJA E MJEDISIT DHE ZHVILLIMI I QËNDRUESHËM, duke mbështetur iniciativa për mbrojtjen dhe rehabilitimin e mjedisit, rritjen e ndërgjegjësimit publik për çështjet mjedisore dhe promovimin e praktikave të zhvillimit të qëndrueshëm në komunitete.
-
PROMOVIMI I KULTURËS DHE RUAJTJA E TRASHËGIMISË KULTURORE, përmes projekteve që nxisin aktivitetet kulturore, artistike dhe letrare në komunitet, mbrojnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore, kontribuojnë në zhvillimin e turizmit lokal dhe zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve.
-
FORCIMI I KAPACITETEVE TË ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE, duke mbështetur organizatat e reja, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe organizative të tyre, si dhe përfshirjen e shoqërisë civile në proceset e politikëbërjes dhe në iniciativat për qeverisje të hapur.
-
LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT DHE EDUKIMI LIGJOR I PUBLIKUT, përmes projekteve që synojnë rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, promovimin e aksesit në drejtësi dhe fuqizimin e rolit të qytetarëve në monitorimin e qeverisjes.
-
LUFTA KUNDËR DEZINFORMIMIT DHE LAJMEVE TË RREME, përmes iniciativave që rrisin edukimin mediatik dhe digjital, ndërgjegjësimin publik mbi ndikimin e dezinformimit dhe forcimin e rezistencës së shoqërisë ndaj manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja, në mbështetje të proceseve demokratike dhe të integrimit europian.
Projektet e propozuara duhet të kontribuojnë në forcimin e demokracisë pjesëmarrëse, përmirësimin e dialogut ndërmjet institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje.
Cila është shuma maksimale e financimit dhe kohëzgjatja minimale dhe maksimale e projekt-propozimeve?
-
Shuma maksimale e financimit me grant për projekt-propozim është deri në 2 (dy) milion Lek dhe kohëzgjatja 6 – 12 muaj.
Cilat janë dokumentat që duhet të depozitoni për t’u bërë pjesë e aplikimeve?
LISTA E DOKUMENTACIONIT SHOQËRUES TË PROJEKT-PROPOZIMEVE:
- Formulari i plotësuar i aplikimit,i vulosur dhe i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i Organizatës (Formulari duhet firmosur dhe vulosur në çdo faqe).
- Vendim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për themelimin e OJF-së origjinal ose kopje të njësuar me origjinalin brënda tre mujorit të fundit referuar datës së mbylljes së aplikimeve; Nëse OJF ka pësuar ndryshime duhet të depozitohen dhe ndryshimet e bëra, duke depozituar të gjitha vendimet e Gjykatës ku reflektohen ndryshimet e bëra.
- Statutin e OJF-së origjinal ose kopje të njësuar me origjinalin brenda tre mujorit të fundit referuar datës së mbylljes së aplikimeve; Nëse OJF ka pësuar ndryshime duhet të depozitohen dhe ndryshimet e bëra.
- Ekstrakti i Gjykatës/Vërtetim (i cili merret në Zyrën e Regjistrimit të OJF-ve, pranë Gjykatës së Qarkut, Tiranë)- origjinal brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit.
- Dokument origjinal që vërteton se kandidati nuk ka detyrime tatimore lëshuar nga organet tatimore (lloji i dokumentit “Vërtetim për Pagim Detyrimesh”).
- Dokument origjinal që vërteton se kandidati nuk ka detyrime pranë pushtetit vendor (lloji i dokumentit “Vërtetim për likujdimin e detyrimeve vendore”);
- Çertifikatë regjistrimi (NIPT) origjinal ose kopje të njësuar me origjinalin brenda 3-mujorit referuar datës së mbylljes së afatit të aplikimit;
- Vërtetim origjinal për numrin e llogarisë lëshuar nga bankë e nivelit të dytë brenda tre mujorit të fundit referuar datës së mbylljes së aplikimeve;
- CV të OJF-së në gjuhën shqipe (të firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor i OJF-së në çdo faqe);
- Licensë/Leje për ushtrim veprimtarie origjinal ose fotokopje e noterizuar brënda tre mujorit të fundit referuar datës së mbylljes së aplikimeve. Vetëm në rastet kur aktiviteti/ veprimtarite e kërkuara për t’u financuar nuk mund të kryhen, sipas ligjit, pa zotëruar një licensë të akorduar nga autoritetet publike;
- Dokumentacion i nevojshëm (relacione, referenca), të cilat kërkohen nga AMSHC apo organet e tij në shqyrtimin e projekt-propozimit;
- Deklaratë/Marrëveshje Partneriteti (origjinale ose fotokopje të noterizuar, në rast se ka partneritet në këtë projekt-propozim);
- Deklaratë për autorësinë e projekt-propozimit e firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor;
- Deklaratë e konfliktit të interesit e firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor;
- Deklaratë mbi origjinalitetin dhe vërtetësinë e dokumentacionit e firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor;
- Deklaratë e financimit ose jo nga institucione të tjetra shtetërore e firmosur dhe vulosur nga përfaqësuesi ligjor;
- Prokurë të posaçme në rastet kur aplikanti nuk është i njëjtë me përfaqësuesin ligjor të aplikuesit;
SHËNIM: Bordit Mbikqyrës në çdo rast i lind e drejta referuar natyrës të projekt-propozimit të kërkojë dokumentacion shtesë të paparashikuar më sipër dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
!VËMENDJE: Dokumentacioni i aplikimit duhet të jetë vetëm në GJUHËN SHQIPE dhe të ketë formatin e kërkuar nga AMSHC. Rikujtojmë se nëse të paktën një nga dokumentat nuk do të depozitohet në formën e kërkuar do të përbëjë automatikisht kusht për s’kualifikim.
-
CILA ËSHTË MËNYRA E APLIKIMIT?
OJF-të janë të lutura, të sjellin aplikimin e tyre me dokumentat shoqëruese së bashku me projekt-propozimin vetëm ME POSTËN SHQIPTARE (merret në konsideratë data dhe ora e dorëzimit të aplikimit në postë), në adresën zyrtare të AMSHC-së: Rruga “Frosina Plaku”, Nr. 58, Godina e Observatorit, Kati II, Tiranë.
Gjithashtu përpara mbylljes së afatit të aplikimeve duhet të depozitoni në format elektronik formularin e aplikimit dhe një ekstrakt (përmbledhje) të projekt-propozimit në formatin Word në adresën e-mail: info@amshc.gov.al, me subjekt “Aplikim Thirrja 19”.
-
AFATI I FUNDIT I APLIKIMEVE ËSHTË DATA: 14/04/2026 ORA 16:30.
Për pyetje apo paqartësi në lidhje me këtë thirrje për projekt-propozime, ju lutemi na shkruani në adresën e e-mail: info@amshc.gov.al
Shkarkoni mëposhtë dokumentat e nevojshme:
- Formulari i Aplikimit Thirrja 19
- Raport Përshkrues Th.19
- Pasqyrat Financiare
- Formulari i kalendarit të Aktiviteteve
- Deklarata e konfliktit te interesit AMSHC
- Deklaratë mbi vërtetësinë e orgjinalitetit të dokumentacionit
- Deklaratë mbi autorësinë e projekt-propozimit
- Deklaratë për financime të tjera











