ASHMC Logo

Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile

Rrepublika e Shqipërisë
  • Shqip
  • English

    Çmimi i Filantropisë 2019

    Publikuar në: 07/02/2021 Kategoria: Lajme dhe VeprimtariNjoftime


    Publikuar në 15.07.2020

    Tiranë, 7 shkurt 2020

    Përfaqësues nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMShC) mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së fituesit të konkursit “Çmimi i Filantropisë 2019”, të organizuar nga Partnerët Shqipëri, e cila u mbajt në ambjentet e Hotel Rogner.

    Çmimi është mirënjohje ndaj individëve dhe kompanive aktive në mbështetje të kauzave sociale në Shqipëri gjatë vitit 2019.

    Pjesëmarrës në ceremoni ishin edhe personalitete nga qeveria shqiptare, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, institucione ndërkombëtare dhe agjenci donatore, përfaqësues të sektorit të biznesit, atij jofitimprurës dhe medias.

    Çmimi për Kontributin në Nivel Kombëtar, iu akordua SIGAL UNIQA Group AUSTRIA me motivacion: Për angazhim dhe kontribut të gjerë në shëndetësi, arsim, mjedis, art, sport dhe edukim financiar në fushën e sigurimeve, ku veçohen: Klinika Lëvizëse Mjekësore në shkallë vendi, rikonstruksioni i Shkollës së Mesme të Bashkuar “Matosh UKA” në Fierzë, Tropojë dhe Pallatit të Sportit Përmet, si dhe krijimi i Klubit “Art dhe Kulturë” në dispozicion për të gjithë qytetarët e Durrësit”. Çmimi iu dha z. Avni Ponari, Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria, nga znj. Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

    Çmimi për Kontributin në Nivel Lokal iu akordua Kompanisë Mrizi i Zanave, me motivacion: Për kontributin e dhënë në promovimin dhe zhvillimin e vlerave tradicionale të zonës së Fishtës, Lezhë, duke e kthyer atë në një atraksion turistik dhe destinacion kulinar të mbështetur fort në zhvillimin e ekonomisë familjare dhe punësimin e banorëve të zonës. Çmimi iu dha z. Anton Prenga dhe z. Altin Prenga nga z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania.

    Çmimi për Kontributin si Individ iu akordua Zj. Suela Bala, me motivacion: Për iniciativën e organizimit të “Bibliotekës Lëvizëse”, si një platformë edukuese dhe një dritare integruese për fëmijët dhe të rinjtë nëpërmjet librit në bashkinë e Lezhës, duke krijuar një model të suksesshëm që u shndërrua në një lëvizje gjithëpërfshirëse në të gjithë vendin. Çmimi u dorëzua nga Sh.T. Z. Luigi Soreca, Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

    Çmimi Pionieri i Filantropisë iu akordua z. Hamza Rama (pas vdekjes), me motivacion: Për ndihmën bujare dhe kontributin e çmuar në zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve shëndetësore të qytetarëve dhe familjeve në nevojë në qytetin e Lezhës dhe fshatrat përreth, si dhe për mbështetjen financiare të klubit sportiv “Bardhyli”, të Lezhës. Çmimi u dorëzua nga znj. Mira Rakacolli, Zv. Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Çmimi u tërhoq nga z. Irfan Rama, i biri i z. Hamza Rama.

    Çmimi i Mirënjohjes për Angazhim Qytetar iu akordua zj. Delina Fico, nga zj. Marinela Jazoj, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri dhe Konsulle Nderi e Norvegjisë, me motivacion: Për kontributin e çmuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kauzave të ndryshme sociale në vend, veçanërisht për mbrojtjen e të drejtave të grave e vajzave dhe promovimin e barazisë gjinore në shoqërinë shqiptare.

    Çmim Special iu akordua z. Arben Cara me motivacion: Për kryerjen me heroizëm dhe devotshmëri maksimale të detyrës së zjarrëfikësit në përpjekjet e kërkim-shpëtimit të jetëve të prekura nga tragjedia e tërmetit të 26 nëntorit 2019, duke vënë në plan të parë misionin e profesionit edhe në kushtet më ekstreme të rrethanave personale.”

    Çmim Special iu akordua Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, Kryetar i Komunës së Prizrenit me motivacion: Për ndihmën bujare dhe të pakushtëzuar në pritjen dhe strehimin e qytetarëve shqiptarë të dëmtuar nga tragjedia e tërmetit të 26 nëntorit 2019, pjesë e mbështetjes dhe solidaritetit të jashtëzakonshëm të popullit dhe institucioneve të Kosovës.

    Çmimet Speciale u dorëzuan nga z. Petro Koçi, Zv. Ministër i Mbrojtjes.

    Kjo ceremoni ishte planifikuar të zhvillohej në datën 26 nëntor 2019, por për shkak të goditjes së tërmetit u zhvillua më datë 7 shkurt 2020.